Shtyhen sërish bastet online në Shqipëri, ministri Malaj zbulon arsyen e papritur
Hapja e basteve sportive online në Shqipëri është shtyrë sërish. Ndonëse kuadri ligjor dhe aktet nënligjore janë përfunduar, qeveria ka vendosur të rishikojë edhe një herë ligjin, me argumentin e forcimit të mbikëqyrjes dhe shmangies së problemeve sociale.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Ekonomisë.
Ministri deklaroi se të gjitha procedurat ligjore dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave janë përgatitur, por nisja e aktivitetit do të bëhet vetëm pasi të përfundojë rishikimi i ligjit.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme, për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual, do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, deklaroi Malaj.
Kuadri ligjor për rikthimin e basteve sportive online u plotësua me aktet nënligjore rreth 28 muaj pas miratimit të ligjit, në shkurt të vitit 2024. Megjithatë, deri më tani nuk është hapur ende konkurrimi për dhënien e licencave.
Sipas ligjit, parashikohet dhënia e 10 licencave për operatorët që do të ushtrojnë aktivitetin vetëm në platforma online. Pjesëmarrja në këto platforma do të bëhet përmes identifikimit të përdoruesve me kartë identiteti.
“KORÇA BOOM”
















