top of page

SKANDAL USHQIMOR/ Qytetarët shqiptarë konsumuan fara susami të kontamimuara me aflatoksinë. Produkti u shpërnda ne 10 qytete, midis tyre edhe Korça

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Edhe pse konsiderohen si një produkt i shëndetshëm dhe i përdorur gjerësisht në ushqim, farat e susamit të importuara në Shqipëri në janar 2026 kanë rezultuar të kontaminuara me aflatoksinë, duke përbërë rrezik potencial për shëndetin e njeriut.


Alarmi është ngritur nga Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar autoritetet shqiptare se, pas analizave laboratorike, në farat e zeza të susamit me origjinë nga Bolivia është konstatuar prania e kësaj toksine të rrezikshme.


Aflatoksina është një toksinë helmuese, e cila dëmton  mëlçinë dhe, nëse konsumohet për një kohë të gjatë, rrit ndjeshëm rrezikun për kancer. Rreziku bëhet edhe më serioz në rastin e farave të susamit, pasi aflatoksina nuk shihet, nuk ka shije dhe nuk eliminohet as me larje dhe as me gatim, duke e bërë konsumatorin plotësisht të pambrojtur.


Në lidhje me këtë rast, televizioni “Ora News” iu drejtua me një kërkese për informacion AKU.


Ky institucion na bën me dije se  sasia e farave të susamit më origjinë nga Bolivia e importuar në vendin tonë është 300 kg.


Nga kjo sasi 288.5 (dyqind e tetëdhjetë e tetë pikë pesë) kg është shitur dhe konsumuar nga qytetarët dhe sasia e bllokuar është vetëm 11.5 (njëmbëdhjetë pikë pesë) kg.


Produkti i kontaminuar është shpërndarë në disa qytete të vendit,  më konkretisht në:


Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Pogradec, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër, duke e shtrirë rrezikun pothuajse në të gjithë territorin e vendit.


Kjo është foto e produktit, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e konsumatorëve.


Ndërkohë, AKU vijon të japë informacion të pjesshëm për median dhe publikun, duke refuzuar të bëjë publik emrin e subjektit që ka importuar farat e susamit me aflatoksinë.


Një qëndrim që bie ndesh me vendimet e mëparshme të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili është shprehur qartë se informacioni që lidhet me sigurinë ushqimore është interes publik, nuk përbën sekret tregtar dhe duhet t’i vihet në dispozicion medias./ Oranews

“KORÇA BOOM”


bottom of page