Tragjedi / Fëmija 6-vjeçar humb jetën në pishinë, nisin hetimet për neglizhencë
- Korca Boom
- Oct 11
- 1 min read
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin turistik në ishullin grek të Santorinit, ku një fëmijë 6-vjeçar nga India humbi jetën pasi u mbyt në pishinën e një hoteli në zonën e Kamarit. Sipas mediave greke, në momentin e fatkeqësisë në pishinë ndodheshin disa persona, përfshirë edhe prindërit e fëmijës, por askush nuk vuri re se ai ndodhej në fund të ujit.
Incidenti u zbulua vetëm pasi një nga pushuesit e tjerë, gjatë notit, e goditi aksidentalisht me këmbë fëmijën, duke vënë re praninë e tij në ujë. Pas nxjerrjes së tij nga pishina, iu dha ndihma e parë me masazh kardiak dhe defibrilator, por përpjekjet për ta shpëtuar ishin të kota. Ambulanca mbërriti brenda 7 minutash, por në spital u konstatua vdekja e tij.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Dyshohet se në pishinë mungonte roja e shpëtimit, ndërsa po shqyrtohen dokumentet e licencimit të hotelit dhe përgjegjësitë ligjore të stafit dhe prindërve. Prindërit janë marrë në pyetje dhe pritet të paraqiten para gjykatës, ndërsa policia po vijon hetimet për të verifikuar nëse ka pasur neglizhencë ose mungesë të masave të sigurisë.
Ky incident tronditi jo vetëm familjen dhe pushuesit në hotel, por edhe komunitetin e gjerë turistik të Santorinit, një prej destinacioneve më të njohura në Greqi, duke ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë në ambiente publike dhe përgjegjësinë e operatorëve turistikë.
“KORÇA BOOM”



















