Tronditëse/ 17-vjeçari dyshohet se vr*u tezen dhe tentoi të fshihte gjurmët
- 2 days ago
- 2 min read
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në qytezën San Stino di Livenza, në provincën e Venecias, në një kontekst tensionesh familjare të lidhura me çështje trashëgimie.
Trupi i pajetë i viktimës u gjet duke lundruar në ujërat e lumit Loncon. Sipas ekspertizës së parë mjeko-ligjore, 53-vjeçarja është goditur më shumë se 20 herë me thikë, kryesisht në zonën e qafës dhe kraharorit. Gjurmët e djegies në rroba dhe dëmtimet në trup sugjerojnë përpjekje për të karbonizuar kufomën përpara zhvendosjes së saj.
Pas një marrjeje në pyetje që ka zgjatur rreth 10 orë, adoleshenti ka pranuar autorësinë e krimit, duke rindërtuar pjesërisht dinamikën e ngjarjes. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka qëlluar viktimën brenda një kasolleje druri pranë banesës, ndërsa më pas e ka transportuar trupin me një karrocë dore për disa qindra metra dhe e ka hedhur në kanalin Malgher.
Megjithatë, hetuesit kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimeve të të miturit dhe gjetjeve në terren. Mjekësia ligjore ka konfirmuar një numër shumë më të lartë plagësh nga sa është deklaruar, çka pritet të rëndojë pozitën e tij penale me rrethanë cilësuese të mizorisë. Po ashtu, pretendimet për vendosjen e trupit në një thes nuk përputhen me faktin se kufoma është gjetur e lirë në ujë, rreth 8 kilometra larg vendit të dyshuar të ngjarjes.
Ekspertët dyshojnë se viktima ka tentuar të mbrohet deri në çastet e fundit, pasi në trupin e të miturit janë konstatuar shenja gërvishtjesh të shumta, ndërsa ai vetë ka pësuar edhe një dëmtim në dorë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë gjetur ende armën e krimit dhe as telefonin celular të viktimës, pasi i dyshuari ka deklaruar se i ka hedhur në ujë.
Çështja po hetohet nga Prokuroria për të Mitur në Trieste, e cila ka ngritur akuza për vrasje me paramendim dhe fshehje ose asgjësim të kufomës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse krimi ka qenë i planifikuar apo rezultat i një konflikti të çastit.
“KORÇA BOOM”
















