E rëndë/ Biznesmeni 66-vjeçar zhduket në det pasi ra nga jahti
- 8 minutes ago
- 2 min read
Një operacion ndërkombëtar kërkimi është duke u zhvilluar për gjetjen e biznesmenit spanjoll 66-vjeçar, Juan José Mutilba Obregón, i cili rezulton i zhdukur në det pasi ra nga jahti i tij gjatë një udhëtimi nga Siçilia drejt Greqisë.
Ngjarja ka ndodhur të martën e kaluar, ndërsa 66-vjeçari po lundronte në Mesdhe së bashku me bashkëshorten e tij, Carmen, 67 vjeçe. Çifti ishte nisur nga Sirakuza e Siçilisë me destinacion Pylosin, në bregdetin grek.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga familjarët, udhëtimi kishte nisur normalisht. Të nesërmen në mëngjes, Juan José kishte kapur një ton dhe po merrej me pastrimin e peshkut. Dyshohet se në një moment ai ka rrëshqitur, ndoshta për shkak të gjakut të peshkut, dhe ka rënë mbi kangjellat e jahtit, duke përfunduar në det.
Bashkëshortja e tij dëgjoi të shoqin duke i kërkuar të fikte motorin e anijes, por në atë moment ajo nuk arriti të reagonte. Jahti vazhdoi të lëvizte dhe u largua gjithnjë e më shumë nga vendi ku kishte rënë 66-vjeçari.
Situata u bë edhe më e vështirë për Carmen, e cila nuk kishte sinjal telefoni dhe nuk mundi të kërkonte menjëherë ndihmë. Ajo qëndroi për rreth tre ditë vetëm në jaht, duke kontrolluar vazhdimisht nëse kishte mundësi të lidhej me tokën.
Ndërkohë, një mik i Juan José, i cili kishte përvojë në lundrim dhe njihte itineraret e tij, vuri re se jahti po devijonte nga kursi i planifikuar. Ai u përpoq të kontaktonte me 66-vjeçarin, por pa sukses.
Vetëm të premten, tre ditë pas zhdukjes, Carmen arriti të merrte një sinjal dhe të kontaktonte mikun e bashkëshortit të saj. Menjëherë pas kësaj u njoftuan shërbimet e shpëtimit.
Operacioni i kërkimit përfshin autoritete dhe shërbime shpëtimi nga Spanja, Italia dhe Greqia. Jahti u gjet dhe u tërhoq drejt Pylosit, ndërsa kërkimet për 66-vjeçarin vijojnë në det.
Djali i çiftit, Sergio Mutilba, ka udhëtuar drejt Pylosit për të qenë pranë nënës së tij dhe për të ndjekur nga afër operacionin e kërkimit.
“Ne vetëm po kërkojmë që të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë kërkimin”, është shprehur ai për mediat spanjolle, duke kërkuar që në operacion të përfshihen sa më shumë burime të jetë e mundur.
Juan José Mutilba Obregón është shkencëtar kompjuterash dhe për vite me radhë ka drejtuar kompaninë D’ors Informática. Pas daljes në pension të parakohshëm, ai kishte nisur të kalonte një pjesë të madhe të kohës duke lundruar në Mesdhe së bashku me bashkëshorten.
Familjarët vazhdojnë të shpresojnë se 66-vjeçari do të gjendet, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonën detare mes Italisë dhe Greqisë.
“KORÇA BOOM”
















