top of page

Kullë, hotel dhe “pyll urban”, prezantohet projekti fitues për Pallatin e Kongreseve

  • Jun 2
  • 2 min read

Është shpallur fituesi i konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Projekti fitues u prezantua nga konsorciumi i udhëhequr nga kompania zvicerane Herzog & de Meuron Basel Ltd, në bashkëpunim me Julian Beqiri, Marsela Demaj, Michel Desvigne, Gentian Shkurti, SUEB Industries sh.p.k., The Space Factory Ltd dhe KLAR sh.p.k.


Gjatë prezantimit të projektit, arkitektët theksuan se filozofia kryesore e ndërhyrjes është ruajtja e identitetit të godinës ekzistuese, duke realizuar ndryshime minimale, por me ndikim të madh në funksionalitet dhe integrimin e saj me jetën urbane.


Sipas ekipit fitues, Pallati i Kongreseve konsiderohet një ndërtesë me vlera historike dhe arkitekturore, e cila për kohën kur u ndërtua përfaqësonte një koncept novator. Për këtë arsye, projekti synon të respektojë karakterin e saj origjinal, duke shtuar elemente që e bëjnë më të aksesueshme dhe më tërheqëse për qytetarët.


Një nga elementet kryesore të projektit është krijimi i një zone të gjelbër rreth ndërtesës, e konceptuar si një hapësirë pritëse për vizitorët. Gjithashtu parashikohet ndërtimi i një sheshi të ri publik, riorganizimi i lëvizjes së këmbësorëve dhe krijimi i një atriumi që zbret gradualisht në nivelet e poshtme, duke krijuar një ambient që ngjan me një pyll urban.


Brenda godinës janë planifikuar përmirësime të rëndësishme teknike, mes të cilave akustikë më moderne, zëvendësimi i çatisë aktuale me një strukturë çeliku dhe ndërtimi i gjashtë sallave të reja konferencash. Kapaciteti total i këtyre hapësirave do të arrijë në rreth 1,600 persona.


Projekti përfshin gjithashtu ngritjen e një kulle multifunksionale, e cila do të akomodojë zyra dhe një hotel, duke i dhënë kompleksit një dimension të ri ekonomik dhe turistik.


Ndërkohë, juria e konkursit sugjeroi që ekipi fitues të rishikojë lartësinë dhe konceptimin e pjesës së sipërme të kullës, me synimin për të përmirësuar më tej raportin e saj me hapësirat publike përreth.


Në vendin e dytë u rendit grupi i udhëhequr nga MVRDV B.V, ndërsa vendi i tretë shkoi për ekipin e kryesuar nga Studio GANG.

“KORÇA BOOM”


bottom of page