Ndryshim i madh në taksën e pronës, qeveria prezanton formulën e re
- 2 days ago
- 1 min read
Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri për taksën mbi pasuritë e paluajtshme, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e taksimit të pronave në Shqipëri.
Ndryshimi kryesor është se taksa nuk do të llogaritet më mbi sipërfaqen e pronës, por mbi vlerën e saj në treg. Sipas kësaj formule të re, pronat me vlerë më të lartë do të taksohen më shumë, ndërsa ato me vlerë më të ulët do të paguajnë më pak.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një Drejtorie të Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, si dhe ngritjen e një Kadastre Fiskale, ku do të regjistrohen dhe vlerësohen të gjitha pronat në vend.
Një pjesë e rëndësishme e reformës lidhet edhe me masat ndaj qytetarëve që nuk përmbushin detyrimet tatimore. Për debitorët parashikohen:
kamatëvonesa për pagesat e papaguara
gjoba administrative
kufizime në marrjen e disa shërbimeve publike
masa të tjera për mbledhjen e detyrimeve
Qeveria argumenton se këto masa synojnë të rrisin nivelin e mbledhjes së taksës dhe të ulin evazionin fiskal.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon edhe lehtësira për qytetarët. Banesa e parë do të përfitojë zbritje në taksë, ndërsa përjashtime do të ketë për banesat sociale, objektet fetare, institucionet shtetërore dhe disa struktura turistike.
Zbatimi i sistemit të ri nuk do të jetë i menjëhershëm. Sipas planifikimit, taksimi mbi vlerën e tregut për ndërtesat pritet të nisë në vitin 2029, ndërsa për tokat në vitin 2031.
“KORÇA BOOM”
















