top of page

Rritje për pensionet e reja: ISSH miraton koeficientët e rinj

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka miratuar koeficientët e rinj të indeksimit që do të përdoren për përllogaritjen e pensioneve të reja në Shqipëri.


Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar sot nga kryetarja e Këshillit Administrativ të ISSH. Në këtë mbledhje u aprovua projektvendimi që përcakton indeksimin e bazës së vlerësuar për vitin 2024, e cila përdoret si referencë për llogaritjen e pensioneve.


Sipas vendimit, do të rishikohet paga mesatare mbi të cilën përllogaritet shuma fillestare mujore e pensionit për personat që plotësojnë kushtet për pension, duke filluar nga data 1 janar 2026 dhe në vijim.


Koeficientët e rinj pritet të ndikojnë në rritjen e bazës së vlerësuar për rreth 40 mijë qytetarë që do të aplikojnë për pensione të reja në vitet e ardhshme.


Qëllimi i indeksimit është që pensionet e reja të reflektojnë më mirë kontributet e paguara gjatë viteve të punës dhe të harmonizohen me zhvillimet ekonomike.


Projektvendimi i miratuar nga Këshilli Administrativ i ISSH do të dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e Ministrave.


Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se ky proces është pjesë e mekanizmave të rregullt të indeksimit të bazës së llogaritjes së pensioneve dhe synon përmirësimin e funksionimit të sistemit të sigurimeve shoqërore, si dhe garantimin e përfitimeve në përputhje me kontributet e qytetarëve.

"KORCA BOOM"


bottom of page