Shantazh me video intime/ Arrestohet 17-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori
- 2 hours ago
- 1 min read
Një rast shantazhi me përmbajtje intime është zbuluar nga Policia e Tiranës, ku një 17-vjeçar është vënë në pranga, ndërsa bashkëpunëtori i tij, 21 vjeç, është shpallur në kërkim.
Ngjarja ka dalë në dritë pas kallëzimit të një 38-vjeçareje, e cila ka denoncuar se dy persona e kishin kërcënuar me publikimin e fotove dhe videove intime në rrjetet sociale, nëse ajo nuk u jepte një shumë parash.
Pas hetimeve të menjëhershme, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës finalizuan operacionin e koduar “Privacy”, duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve, ndërsa vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Sipas policisë, autorët i kanë marrë 38-vjeçares shumën prej 500 eurosh, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kjo shumë parash si dhe dy telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur për kryerjen e shantazhit.
Nga hetimet paraprake rezulton se 21-vjeçari i shpallur në kërkim dyshohet gjithashtu si autor i disa vjedhjeve në subjekte të ndryshme në Tiranë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
“KORÇA BOOM”
















