Shqipëria si ‘toka e premtuar’? Ankesa dhe sfida të shtetasve të huaj në jetën e përditshme
- Apr 7
- 2 min read
Nga një vend që për dekada ka qenë kryesisht burim emigracioni, Shqipëria po shndërrohet gradualisht në destinacion për individë të ndryshëm, veçanërisht nga vendet e “botës së tretë”. Megjithatë, realiteti i përditshëm tregon se jo të gjithë ata që vijnë gjejnë kushte ideale; shumë raportojnë për diskriminim dhe abuzime në jetën e përditshme.
Sipas të dhënave të Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025, janë trajtuar 11 ankesa dhe 1 rast ex-officio nga shtetas të huaj. Për 6 prej rasteve është dhënë vendim, ndërsa për 5 ankesa dhe 1 çështje ex-officio vijojnë procedurat e shqyrtimit. Statistikisht, 9.1% e ankuesve janë migrantë brenda vendit, kryesisht në qytetet më të mëdha si Tirana dhe Durrësi.
Arsimi, që dikur ishte privilegj i një pakice, sot është bërë një e drejtë universale. Megjithatë, praktikisht ka raste të trajtimit diskriminues të fëmijëve për shkak të pamjes së jashtme ose identitetit gjinor të supozuar, si dhe mos ekuivalentimi i programeve mësimore nga ana e institucioneve.
Diskriminimi racor dhe fetar përbën një tjetër sfidë. Konfliktet në vendet e origjinës, si Rusia dhe Ukraina, shpesh shfaqen në forma jo të dhunshme, por diskriminuese, në Shqipëri.
Raste të raportuara përfshijnë mosdhënie të pagave për shkak të fesë apo racës, mashtrime në marrëveshjet e punës, dhe mohime të shërbimeve nga institucionet private.
Nga 11 ankesat e paraqitura, 7 ishin nga gra, 3 nga burra dhe 1 nga një grup personash. Për 6 rastet ku është marrë vendim, është konstatuar diskriminim në 1 rast, hetimi është ndërprerë në 1 rast për shkak të efektivitetit të masës, ndërsa 4 raste janë mbyllur me mospranim.
Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të migrantëve dhe të shtetasve të huaj në Shqipëri, si dhe nevojën për mekanizma më të fortë për parandalimin e diskriminimit në të gjitha fushat e jetës publike dhe private.
“KORÇA BOOM”
















