top of page

Telefoni në timon drejt ndëshkimit të ashpër, rregulla të reja pa tolerancë

  • 1 hour ago
  • 1 min read

Mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë të re amendamentesh që synon ashpërsimin e masave ndëshkimore për shkeljet në qarkullimin rrugor, me fokus kryesor rritjen e sigurisë në rrugë.


Sipas propozimeve të paraqitura, ndalohet përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjeteve edhe për kategori të tjera transporti si biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat elektrike.


Gjithashtu parashikohen gjoba më të rënda, në disa raste deri në dyfishim të masave ekzistuese, si dhe rregulla më strikte për drejtuesit e rinj. Për ata që sapo pajisen me leje drejtimi, propozohet ndalim i drejtimit të mjeteve gjatë orëve 00:00–06:00 për tre vitet e para, kufizim shpejtësie deri në 90 km/h për dy vjet dhe tolerancë zero për alkoolin në gjak gjatë kësaj periudhe.


Një nga masat më të forta të propozuara është heqja e përhershme e lejes së drejtimit për personat që përsërisin shkeljen e drejtimit nën ndikimin e alkoolit mbi 0.5 g/l.


Amendamentet parashikojnë gjithashtu përfshirjen në rregulla të reja edhe të mjeteve elektrike me dy rrota, si dhe masa ndëshkuese më të ashpra për drejtimin pa leje, përfshirë shtyrjen me një deri në dy vite të së drejtës për pajisje me patentë në varësi të moshës.

Këto ndryshime vijnë pak ditë pas një aksidenti tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ngjarje që ka rikthyer në fokus debatin për sigurinë rrugore në vend.

“KORÇA BOOM”


bottom of page