top of page

Çmimet e apartamenteve “fluturojnë” në Korçë, çiftet e reja larg ëndrrës për shtëpi

  • May 9
  • 1 min read

Tregu i pasurive të paluajtshme në Korçë po njeh një rritje të ndjeshme të çmimeve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për shumë qytetarë, veçanërisht çiftet e reja, blerjen e një banese.


Aktualisht, në zonat më të kërkuara të qytetit, çmimi i apartamenteve të reja varion nga 1050 deri në 1250 euro për metër katror, ndërsa në lokacionet më të preferuara arrin deri në 1350 euro për metër katror. Edhe në lagjet periferike dhe për apartamentet e vjetra është regjistruar rritje me rreth 50 euro për metër katror.


Sipas të dhënave të tregut, blerësit kryesorë mbeten emigrantët që kthehen sezonalisht, si dhe banorë nga zonat rurale apo qytete të tjera që zgjedhin Korçën për jetesë apo investim.


Megjithatë, çiftet e reja përballen me vështirësi të mëdha dhe shpesh varen nga kreditë bankare për të siguruar një banesë.


Rritja e çmimeve të shitblerjes ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun e qirave, të cilat janë rritur me rreth 40%. Një apartament që më parë jepej me rreth 20 mijë lekë në muaj, sot arrin deri në 35 mijë lekë, duke e bërë gjithnjë e më të rëndë barrën financiare për familjet.


Si pasojë, rreth 80% e kërkesës në treg është zhvendosur drejt qiradhënies, si alternativa më e përballueshme për shumë banorë. Me këtë trend në rritje, banorët shprehen se mundësia për të blerë një shtëpi në qytet po bëhet gjithnjë e më e largët.

“KORÇA BOOM”


bottom of page